|
Me sukses realizohet koncepti arsimor nëntëvjeçar Implementimi brenda katër vjetësh Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Sulejman Rushiti, ka informuar se brenda katër vjetësh, në tërësi do të bëhet implementimi i sistemit nëntëvjeçar, derisa mbi 23 mijë nxënës të klasës së parë, për herë të parë në shtator filluan procesin edukativo-arsimor me konceptin e ri Hajrie AZEMI Shkup, 15 janar – Pas mbarimit të gjysmëvjetorit të parë arsimor dhe analizave të kryera në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH), është sjellë përfundim se koncepti i ri në arsimin fillor nëntëvjeçar me sukses është duke u realizuar nëpër shkolla fillore të vendit. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Sulejman Rushiti, informon se brenda katër vjetësh, në tërësi do të bëhet implementimi në sistemin nëntëvjeçar. Për herë të parë në shtator, mbi 23 mijë nxënës të klasës së parë filluan procesin edukativo-arsimor me konceptin e ri, ndërkohë arsimi fillor nëntëvjeçar obligon dhe përfshin fëmijët që mbushin pesë vjet e tetë muaj. Shtetet më të fuqishme ekonomikisht se Maqedonia, thekson Rushiti, të njëjtin projekt për sistemin fillor nëntëvjeçar e kanë implementuar vite me radhë. “Jemi shumë të kënaqur me realizimin e konceptit në arsimin fillor nëntëvjeçar, sepse me sukses filloi dhe po vazhdon implementimi i reformave. Koncepti i ri do të mundësojë që nxënësit nga bankat e shkollave fillore të dalin më të përgatitur për t’u përballur me arsimin e mesëm”, shprehet ai, duke shtuar se krahasuar me vitet e tjera, këtë vit arsimi ka filluar me frymë të re, me qëllim të përmirësohet cilësia e arsimit. Arsimi fillor nëntëvjeçar, sipas ministrit Rushiti, është vendosur për shkak të nevojës për harmonizimin e sistemit arsimor të Maqedonisë me vendet evropiane, ngase në arsimin parashkollor, kohë më parë janë përfshirë vetëm 11 për qind e fëmijëve të moshës gjashtëvjeçare. “Me reformat e filluara do të përgatisim individë që do t’i kontribuojnë shoqërisë, individë që do t’i përballojnë sfidat e asaj që quhet treg i zgjeruar i punës dhe konkurrencës në Bashkimin Evropian. Sistemi fillor nëntëvjeçar do t’i ndihmojë nxënësit në arsimin e mesëm, ndërsa ata që dalin nga këto shkolla, më lehtë do të ballafaqohen me sfidat e arsimit sipëror”, shprehet Rushiti. Ndryshe, për fillimin sa më të suksesshëm të nëntëvjeçares janë trajnuar 1350 mësimdhënës, të cilët për punën me konceptimin e ri arsimor kanë pranuar edhe doracakë. Janë përgatitur edhe plane të reja mësimore në pajtim me moshën e nxënësve, si dhe plan i posaçëm me dinamikën e zbatimit të programeve të reja mësimore.
|