|
Interesim i madh për arsim të çrregullt Shkollat mbushen me 25 vjeçarë shqiptarë Grup-moshat e nxënësve që regjistrohen në shkolla të mesme si të çrregullt u takojnë moshës mbi 25 vjeçe, duke mos përjashtuar edhe ata mbi 30 vjeç. Kjo pasi gjatë konkurseve për punësim, atyre u kërkohet edhe një diplomë e arsimit të mesëm Hajrie AZEMI Shkup, 24 janar - Nxënësit e vjetër shqiptarë janë më shumë të interesuar për të vazhduar procesin edukativo-arsimor të çrregullt nëpër shkolla të mesme. Një gjë të tillë e vërteton edhe shkolla e mesme ekonomike “Arseni Jovkov” në Shkup, në të cilën aktualisht shkollën e mesme e vazhdojnë mbi 100 nxënës shqiptarë dhe rreth 20 maqedonas. Nxënësit e çrregullt për një vit paguajnë 6400 denarë participim, ndërsa për çdo provim 640 denarë. Grup-moshat që regjistrohen në shkolla të mesme i takojnë moshës mbi 25 vjeç, duke mos përjashtuar edhe ata mbi 30 vjeç. Në çdo dy muaj nxënësit e vjetër të çrregullt u nënshtrohen provimeve lëndore. “Numri më i madh i nxënësve mbarojnë mësimet e çrregullta me qëllim që të arrijnë të marrin diplomën e shkollës së mesme dhe më lehtë të punësohen”, shprehet përgjegjësi i shkollës së mesme ekonomike, Shaip Zendeli. Zeneli informon se në shkollën që drejton ai është marrë iniciativë që nxënësit e çrregullt t’u nënshtrohen provimeve çdo muaj, mirëpo e njëjta kërkesë është refuzuar nga profesorët maqedonas. “Shqiptarët më shumë tregojnë interesim për të vazhduar shkollimin e mesëm të çrregullt, ndoshta mund të jetë arsye se në të kaluarën nuk janë hapur paralele të mjaftueshme në gjuhën shqipe. Nëse bëjmë një krahasim mes nxënësve shqiptarë të vjetër dhe atyre maqedonas, numri i shqiptarëve është shumë më i madh”, thekson ai. Nga ana tjetër, zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Drita Mamuti, njofton se me Ligjin për arsim të mesëm është parashikuar që të ketë minimum gjashtë afate në vit për nxënësit e çrregullt, ndërsa për çdo afat nxënësit mund t’i paraqesin më së shumti tri provime. Sipas saj, në disa shkolla të mesme, numri i nxënësve të rregullt dhe atyre të çrregullt është i barabartë, ndërsa si shembull mund të merret shkolla e mesme “Mosha Pijade” në Tetovë.
|