|
Duke u nisur nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e vitit 1948 si instrument i parë ndërkombëtar i cili deklaron shkollimin si të drejtë të njeriut; Kushtetuta e R. së Maqedonisë dhe Ligji për shkollim të mesëm, sipas të cilit “Arsimi i mesëm është i obligueshëm për çdo qytetar, në kushte të njëjta të caktuara me ligj” (Neni 1 i Ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për arsim të mesëm, Gazeta zyrtare e R. Së Maqedonisë nr. 49 me datë 18.04.2007); Duke u mbështetur në nenin 3 të Ligjit për arsimin e mesëm sipas të cilit “Nuk lejohen diskriminime të bazuara në gjini racë, ngjyrë të lëkurës, prejardhje nacionale dhe sociale, bindjes politike dhe fetare, pozitës pronësore dhe shoqërore” (Gazeta zyrtare e R. Së Maqedonisë nr. 52/02 me datë 11.07.2002) dhe nenit 4 të të njëjtit ligj sipas të cilit: “Për pjesëtarët e nacionaliteteve, veprimtaria edukativo –arsimore në shkollat publike realizohet në gjuhën dhe alfabetin e nacionaliteteve dhe nën kushte të caktuara me këtë ligj”: Ne, përfaqësuesit e organizatave qytetare të nënshkruara më poshtë shprehim brengën nga qëndrimet që i shprehin disa përfaqësues të pushteteve lokale dhe përfaqësues të shkollave të mesme në Shkup, Veles, Prilep, Manastir dhe disa qytete tjera të vendit lidhur me çështjen e hapjes së paraleleve me mësim në gjuhën shqipe. ARSIM TË MESËM PËR TË GJITHË Edhe pas 17 vjetësh të pluralizmit në Maqedoni, 7 vjet pas Marrëveshjes kornizë e cila hapi perspektiva të reja të multikulturalizmit në Maqedoni, në kohën kur vendi është në prag të anëtarësimit në strukturat evropiane, procese këto që kërkojnë qytetarë të shkolluar për t’iu bërë ballë sfidave që do të pasojnë, në disa pjesë të vendit të gjitha bashkësitë etnike ende nuk kanë qasje të barabartë në arsim. Në kohën kur kjo e drejtë është e garantuar edhe me ligj, nuk ka hapësirë për t’iu kundërvënë këtij detyrimi dhe proceseve që do të mundësonin këtë të drejtë. Nuk mundet që pikërisht për nxënësit shqiptarë të mos ketë vend në shkollat e mesme të këtyre qyteteve, me arsyetim se me këtë rast do të dëmtohej arsimimi i nxënësve maqedonas dhe do të pësonte cilësia e arsimimit. Me qëllim të rritjes së besimit të ndërsjellë mes grupeve etnike në Maqedoni, kërkojmë nga Ministria e Arsimit që të mundësojë kushte teknike, hapësinore, përmbajtësore dhe kuadrore për të gjithë nxënësit që do ta kryejnë mësimin fillor dhe që janë të obligueshëm që ta vazhdojnë shkollimin e tyre. Kërkojmë nga kryetarët e komunave dhe administratat komunale që me kohë t’i bëjnë të gjitha përgatitjet e duhura dhe të krijojnë kushte të barabarta për të gjithë nxënësit, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, ndërsa nga drejtorët e shkollave të mesme kërkojmë që të sigurojnë kushte teknike, hapësinore dhe kuadrore për t’iu përgjigjur sfidave të vitit të parë të shkollimit të mesëm të obliguar. Me këtë rast, ne, përfaqësuesit e shoqërisë civile, përkujtojmë se qëllimi i shkollimit është zhvillimi i plotë i personalitetit njerëzor dhe forcimi i respektit për të drejtat dhe liritë fondamentale të njeriut. Thellësisht jemi të bindur se shkollimi promovon mirëkuptim, tolerancë dhe miqësi mes kombeve, grupeve racore ose fetare dhe kontribuon për ruajtjen e paqes, ndaj me këtë rast kërkojmë edhe nga shoqëria civile në Maqedoni, veçanërisht në ato qytete ku për herë të parë do të hapen shkolla të mesme në gjuhën shqipe, që të angazhohen konkretisht në arritjen e këtyre qëllimeve humane. Gostivar, Shkup 2 prill 2008  | Asociacioni për iniciativa demokratike (ADI)
|  | SHBHR “Meseçina” |  | Ambasada e parë e fëmijëve në botë “Megjashi” |  | Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar (QMBN) |  | Qendra për hulumtime strategjike dhe dokumentim “FORUM” |  | AZHDR “SONCE” |  | SHEK “Millennium” |  | Qendra për zhvillim institucional (CIRa) |  | Qendra për zhvillimin e mediave të bashkësive “MEDIUM” |  | ORGM “DAJA” |  | Iniciativa qytetare e grave “ANTIKO” |  | Link qendra evropiane (ELC) |  | Qendra pa kufi (NBC) |  | Fondacioni Qendra informatike |  | Asociacioni qytetar “MOST” |  | SHAFM „DRAUDACUM“ |  | Organizata humanitare “El Hilall” |  | Lëvizja qytetare „ZGJOHU“ |  | IPG – Gostivar |  | POLIO PLUS - Lëvizja kundër handikapit |  | Këshilli nacional i grave në Maqedoni (KNGM) |
|