Avancimi i mundësive për mësimin e gjuhës italiane nga popullata e re në Republikën e Maqedonisë ishte një nga temat kryesore të diskutimit midis zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi dhe ambasadorit italian Karlo Romeo, gjatë takimit të sotëm në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Në këtë takim, zëvendësministri Ademi ka shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy vendeve në fushën e arsimit, duke theksuar se ai pret që idetë e reja të përbashkëta të realizohen sa më shpejtë.

Duke ndjekur shembullin e praktikave të vendosura me shumë shtete tjera, bashkëbiseduesit kanë diskutuar, gjithashtu, edhe për mundësitë për dërgimin e mësuesve nga Maqedonia në Itali, me qëllim që të ketë mësim në gjuhën e tyre amtare, për fëmijët e shtetasve të Republikës së Maqedonisë me qëndrim të përkohshëm në Republikën e Italisë.

Ademi është ndalur edhe në përpjekjet për të siguruar mbështetje më të madhe në realizimin e projekteve dypalëshe shkencore-hulumtuese, gjë që e ka vlerësuar pozitivisht ambasadori Romeo, në drejtim të thellimit të bashkëpunimit në fushën e shkencës.

Në këtë takim është biseduar edhe për prioritetet në kuadër të politikave arsimore që Qeveria aktuale i ka përcaktuar dhe ndërmerr aktivitete adekuate në drejtim të realizimit të qëllimeve programore në përputhje me Strategjinë e Arsimit me afati zbatimi deri në vitin 2025.